LIFE WITH THE GIRLS OF WISDOM

DON'T FORGET TO SHINE
alketa
Albanian Blog-Blog ne Shqip Blog Feminism Women Power

Alketa, shqiptarja ia doli! Ju që shani pini “uthull”

Mbrëmja e kaluar “Sanremo”, një festival legjendar në Itali shënoi ditën më të rëndësishme për moderatoren shqiptare Alketa Vejsiu e cila me shumë sukses “pushtoi” skenën  e madhe të Ariston.

Ky festival nuk shënoi vetëm arritjen më të madhe për Vejsiun, eksperienca e të cilës nuk ka shumë nevojë për koment, por pushtoi njëkohësisht edhe zemrat e shqiptarëve të cilët me krenari panë “bijën e tyre” të shkëlqejë në atë skenë.

Për mua personalisht, ishte një emocion i rrallë dhe pavarësisht nëse jam apo jo fanse e Alketës, aftësia e saj në moderim është për t’u përgëzuar.

Dhe po, duhet të jemi krenarë, duhet të jemi krenarë për gruan shqiptare e cila është kryqëzuar për cdo fjalë që ka nxjerrë nga goja, është paragjykuar për pamjen, për familjen e për suksesin dhe mbrëmë me “një gur” mbylli shumë gojë. Ose të paktën u mundua.

E dhimbshme ishte për mua të lexoja komente të hidhura, të mbushura me vrer e lakmi për gruan 100 përqind shqiptare e cila ia doli.

 Ia doli të rrëmbejë zemrat e italianëve të cilët pjesa më e madhe as nuk e njihnin, por jo të disa shqiptarëve, paragjykues dhe aspak mbështetës.

Nuk është hera e parë dhe jam e sigurt që edhe vetë Alketa Vejsiu i priste gojët e liga, të cilët nuk e durojnë dot suksesin e “ vëllaut e motrës” së tij.

“Fustani pa shije, Alketa po fliste shumë shpejt, e paaftë, ajo ka paguar për të qënë në Sanremo, jo jo ishte Edi Rama ai që u fut ‘mik’ tek organizatorët…”

Shumë e më shumë komente të tilla kanë pushtuar sot rrjetin, duke u kthyer në një “gjueti shtrigash” në vend që të kishim një mbështetje pa kushte, pa lakmi dhe krenarë për njeri tjetrin.

Është e dhimbshme por mendoj se shqiptarët nuk e duan suksesin e njëri tjetrit, dhe me cdo kusht duhet të gjejnë një arsye për ta vënë poshtë, për t’ja zbehur meritat dhe aftësitë. 

Dhe pse duhet të ishte e kundërta, gratë janë më të sulmuara kur vjen puna tek suksesi. Kjo pasi shoqëria në Shqipëri, të dyja gjinitë, nuk është akoma e bindur se  një grua mund t’ia dalë  dhe të bëhet e suksesshme pa qënë nën ‘tutelën’ e një të dashuri apo bashkëshorti.

Por Alketa ia doli! Le të jetë ajo një ndër shembujt e femrave të pavarura dhe të suksesshme shqiptare, dhe të mos gjykojmë më.

Ajo nuk rrëmbeu suksesin e  askujt, punoi për të dhe ia doli. Nëse do flasim nga ana profesionale, s’mund të them që ajo ishte perfekte,  jo askush s’mund të jetë perfekt në atë skenë të madhe.

Kush nuk e kupton dhe nuk e vlerëson këtë, le të pijë uthull tërë ditën. Faleminderit Alketa!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Content is protected !!