Archives

E kolme e hundë jo perfekte? Ne jemi të bukura siç jemi dhe askush s’mund të na thotë të kundërtën

“Ti nuk je e bukur, je e shëndoshë e shkurtër dhe buzët e tua janë shumë të holla…” 

Sa herë në ditë përplasemi me këto të “përkufizime” qesharake të bukurisë, të stisura dhe aspak realiste?

Fjala “bukuri” nënkupton që një objekt është vizualisht i këndshëm, si kur themi se një vepër arti është e bukur.

Pra “bukuria” nuk është vetëm një atribut femëror dhe është thellësisht subjektive për çdo njeri.

Në ditët e sotme bukuria përcaktohet nga përkufizohet nga personat publikë, pamja e të cilëve ka tendencën të vendosë trende duke thyer e rithyer bukuritë e grave në mbarë botën.

“Vetulla të trasha, flokë të gjata, buzë të plota, fytyrë simetrike e hundë perfekte…”

Ky koncept artificial i “bukurisë” është baza e gjithçkaje në shoqërinë tonë në ditët e sotme.

Por bukuria nuk është një trend, bukuria e një gruaje është plotësisht subjektive dhe nuk ka grua në botë e cila nuk është e bukur në sytë e dikujt.

Ju kujtohen kukullat “Barbie” me të cilat jemi rritur?

Pikërisht këto kukulla janë standarti i parë i bukurisë që marrim që në fëmijëri dhe shkaktojnë humbjen e parë të vetëbesimit.

“Unë s’jam e bukur si Barbie, flokët e saj janë të gjatë dhe të përsosur, ndërsa hunda e saj…”

Ndërsa rritemi,  hedhim “Barbie” por jo konceptin e bukurisë me të cilën rritemi dhe krijojmë komplekset e pakthyeshme të pamjes tonë.

Ndoshta kjo shpjegon dhe numrin e madh të operacione plastike në Shqipëri.

Personalisht,  për mua, bukuria është shumë më tepër sesa pamja fizike.

Por për fat të keq, për gjeneratën tonë, ky koncept bazohet në cilësi specifike fizike.

Gratë pritet që gjithmonë të kenë flokë të përsosur, rrobat më të fundit, lëkurë e manikyr perfekt.

Por asnjë nga këto gjëra nuk janë dhe nuk të bëjnë të bukur.

Një grua e bukur është një grua me vetëbesim, që e do vetën e saj me defektet e saj, dhe është e qetë në lëkurën e saj.  

Pra, harrojeni defektet tuaja, harrojeni peshën tuaj dhe fytyrën tuaj jo simetrike.

Janë pikërisht këto defekte, që ju bëjnë “ju”, të bukura, të suksesshme dhe plot jetë.

Nëse je e lumtur dhe e pranon veten siç je, me besoni, gra të dashura, ju rrezatoni bukurinë e vërtetë, bukurinë e një njeriu të lumtur dhe plot vetbesim në vetvete.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Content is protected !!